Media Home / Media

Njihuni me kompanitë VIP në Shqipëri, ‘Bankers on the top’

TIRANË- Kompanitë e naftës dhe energjisë janë bizneset më fitimprurëse në Shqipëri. Bankers Petrolium kryeson listën e 200 bizneseve VIP për 2014-en (shih tabelat). Nga 10 sipërmarrjet më të mëdha në vend sipas qarkullimit vjetor, 4 merren me naftë. Edhe aktivitetet e lojërave të fatit, kanë parë një lulëzim të aktivitetit vitin e kaluar, një ecuri kjo që mund të habisë shumëkënd që priste një rënie të tyre pas sulmeve të ashpra, me të cilat qeveria e re nisi aksionin “fundi i marrëzisë”, sapo erdhi në pushtet, në tremujorin e fundit 2013 dhe synonte, ndër të tjera, të godiste vesin e keq të të luajturit bixhoz.

Sipërmarrjet prodhuese e përpunuese dhe ato eksportuese numërohen me gishtat e dorës. Në listën e 100 më të mëdhave ka vetëm 4 sipërmarrje eksportuese.

Kompanitë e ndërtimit janë përulur përpara reduktimit të shpenzimeve kapitale në 2014-n dhe ndalimit drakonian të lejeve të ndërtimit, që vitet e kaluara ishin bërë ushqimi kryesor i tyre.

Në total, qarkullimi vjetor i 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, i nxitur artificialisht dhe nga nafta (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shit-blerjes disa herë të saj) është rritur me 5% në 2014-n, në një ekonomi që shënoi një zgjerim të prodhimit të brendshëm prej 2.12%, sipas të dhënave të rishikuara të INSTAT.

Në listën e 200 më të mëdhenjve për 2014-n, 35% janë sipërmarrje me kapital të huaj, ku mbizotërojnë institucionet financiare, kompanitë e rrugëve, prodhues të naftës. Një vit më parë, në listë kishte 31% sipërmarrje të huaja. Hyrjet e reja janë kryesisht në fushën e ndërtimit të rrugëve.

Për herë të parë në shumë vjet, kompanitë e telefonisë celulare nuk janë në listën e 10 më të mëdhave sipas xhiros. Katapultimi i sipërmarrjeje të naftës dhe maturimi i tregut të telekomunikacioneve, së bashku me manovrat e vetë operatorëve celularë për të “zbukuruar” peshën e tregut, i ka nxjerrë këto të fundit nga dhjetëshja.

-Opinion